Brenda një viti ka ndryshuar si nata me ditën jetesa për familjen e Kujtim Sharkut në fshatin Pishaj në Gramsh, pasi banesa e tyre e rrënuar plotësisht u rikonstruktua me iniciativë të kryeministrit Edi Rama, që sot ishte i pranishëm për të dorëzuar çelësat e shtëpisë së re. Kreu i qeverisë tha se do të bëjë një inventar të familjeve në nevojë për t'i ndihmuar përmes vullnetarëve.<br /><br />"Në këto shtëpi që kemi ndërtuar dhe që ka të tjera dhe që do i bëjmë, tani po bëjmë një inventar të këtyre situatave dhe do të vijojmë më shumë. Kemi disa ide të reja për të bashkëpunuar me këto grupet e vullnetarëve për t'u dhënë mundësi edhe të tjerëve për të dalë nga këto situata të tmerrshme. Ne nuk duam qoftë që edhe një familje e vetme të mbetet mbrapa për të pasur kushtet normale. Atë që themi ne e bëjmë, jo gjithmonë në kohë, pasi nuk mund të parashikohen të gjitha, duhet durim i madh, por i duruari i fituari" tha ai.
