TIRANË - Është ekstraduar më në fund në Shqipëri, Arbër Çekaj, pronari i kompanisë "Arbi Garden" në kontenierët e së cilës bashkë me babanet u zbuluan nga policia 613 kilogramë kokainë, sasia më e madhe e kapur e kësaj lënde narkotike. Lajmin për ekstradimin e tij nga Gjermania, e dha Zv/Drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, sot në një deklaratë për mediat. Arber Çekaj u arratis në Gjermani pas zbulimit në Portin e Durrësit të kokainës së ardhur nga Kolumbia në mars të vitit 2018, dhe kërkoi atje azil politik me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Shkalla e parë e gjykatës gjermane vendosi për ekstradimin e Çekajt në Shqipëri, por më tej pronari i "Arbi Garden" kërkoi apelimin e vendimit. Së fundi, Shqiptarja.com mëson se Çekaj është tërhequr nga Apeli, çka solli edhe ekstradimin e tij në Shqipëri. Arbër Çekaj mbërriti sot në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas dhe më tej u shoqërua me forca të policisë për në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Çekaj do të njihet me masën e sigurisë arrest me burg dhënë në mungesë ndaj tij, ndërsa pritet që të kërkojë ndryshimin e saj për tu hetuar në liri. <br /><br />Në Shqipëri, Arbër Çekaj akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda për trafik të lëndëve narkotike.Në pranga është menaxheri Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, shoferi i kamionit që transportoi kontenierët me banane dhe kokainë drejt magazinave të Arbri Garden në Maminas ku u zhvillua dhe operacioni i arrestimeve nga policia që zbuloi kokainën me vlerë 180 milionë euro. Arbër Çekaj u arratis në Gjermani duke i shpëtuar autoriteteve shqiptare dhe u arrestua pak kohë më pas.