SARANDË- Jo vetëm mbeturina, por edhe një sasi e madhe gomash automjetesh janë nxjerrë gjatë një aksioni për pastrimin e nën detit në Sarandë. Ky është aksioni i dytë që zhvillohet në këtë qytet, ku pak javë më parë nga këta vullnetarë janë nxjerrë nga nën deti 75 goma automjetesh dhe dhjetëra kg mbeturina të tjera.

Këtij aksioni përveç vullnetarëve nga qyteti i Sarandës, i janë bashkuar edhe vullnetarë nga vende të tjera, të cilët janë gjendur me pushime në qytetin bregdetar.

"Sot vazhdojmë fazën e dytë të pastrimit të detit Jon, që për koiçidencë quhet deti Jon, pra i joni, që ne duhet ta mbajmë pastër pasi është shtëpia jonë. Sot në bashkëpunim me qytetarët e Sarandës, rininë e këtij qyteti vazhdon pastrimin e nëndetit më shumë si një fushatë sensibilizuese për mos ta ndotur më natyrën e Shqipërisë", u shpreh Adriatik Lapa.

"Do thoja që më kollaj është ta mirëmbajmë që mos të hedhim mbeturina sesa të detyrohemi ta pastrojmë. Fare thjeshtë. Kaq dhe jemi në rregull", tha Shkëlqim Beqaj.

"Shpresoj që kjo të bie në vesh të qytetarëve për mirë. Domethënë mos ta ndotim më tej. Dhe që të bashkohen dhe ta pastrojmë", u shpreh Sajmir Kushova.

Qëllimi i aksioni ishte pastrimi i nën detit nga mbeturinat, por edhe sensibilizimi për mos hedhjen e mbeturinave dhe mbajtjen pastër të plazheve dhe detit, pasi turizmi si ekonomia bazë për shumicën e familjeve sarandjote kërkon edhe plazhe dhe ambient të pastër.