Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fshatin Xhuherinë në Vlorë. Për të shuar zjarrin në vendin e ngjarjes kanë shkuar tre automjete zjarrfikëse. Burime për Report Tv bëjnë me dije se deri më tani janë djegur rreth 50 ha, që ishin mbjellur kryesisht me ullinj.

Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe banorët të cilët me mjete rrethanore janë përpjekur të shuajnë flakët që kanë rënë në zonë. Ndërkohë terreni i vështirë malor ka vështirësuar punën e zjarrfikësve. Zjarri i ndihmuar nga era vijon të djegë sipërfaqet e mbjellura me ullinj.

Ndërkohë banorët kanë ngritur shqetësimin e tyre duke thënë se ky zjarr po u shkatërron gjithçka pasi kishin investuar shumë në mbjelljen e ullishteve.

"Erdhëm t'i ndihmojmë se i kemi miq e shoke. Besoj se është dorë që e kanë vendosur këtë zjarr. Sa erdha nga puna erdha direkt. Zjarri ka nisur rreth orës 12:30, janë djegur shumë pjesë, të tëra." ka thënë një banor.

"U dogjën të gjitha rrënjët e ullirit, njëri 400 njëri 600, u dogjën të gjitha." ka thënë një banore.

"Janë djegur mbi 5000 rrënjë ullinj. Shumë familje, mbi 50 familje që merreshin me ullishte." ka thënë një banor tjetër.