MIRDITË- Detaje të reja nga vrasja e 34-vjeçarit Eri Zefi ndodhur një ditë më parë në Mirditë. Viktima mësohet se është marrë peng dhe më pas është ekzekutuar me një plumb në kokë pikërisht në vendin ku u gjet i vrarë, në Zall Xhuxhe. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur disa orë para se të gjendej i pajetë nga një banor i zonës. Viktima u gjet i vrarë rreth orës 16:00 të së mërkurës në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së Kombit.

Eri Zefi njihej edhe me emrin Anton Zefi dhe kishte pasaportizimin në Adriatik të Kurbinit, por bashkë me familjen e tij jetonte në Durrës. 34-vjeçari ishte i martuar dhe ishte baba i një fëmije.

Policia ka shoqëruar disa persona të cilët po merren në pyetje. Vendi ku u gjet viktima është zonë e pabanuar, çka vështirëson punën e grupit hetimor për të zbardhur dinamikën e krimit.

Dyshimet e para lidhur me këtë ngjarje bien pikërisht në një ngjarje të ndodhur pak muaj më parë ku vëllai i tij Ndue Zefi vrau me armë Martin Ndrecën në sy të djalit të tij 10-vjeçar. Kjo ngjarje ka ngritur dyshimet se vrasja e Eri Zefit ditën e sotme mund të jetë kryer për shkaqe hakmarrje nga të afërm të viktimës që vëllai i tij la më 24 shkurt të këtij viti.

Pak kohë pas vrasjes Arben Ndreca, vëllai i Martin Ndrecës tha në një rrëfim për Shqiptarja.com, se vëllai i tij nuk u vra për çështje nderi, siç u përfol në disa media. Sipas tij konflikti mes vëllait të tij dhe Ndue Zefit ka ndodhur për një sherr krejtësisht banal në një lokal: "Pse më shikon".