Një nga shkollat që ka pësuar dëmtime në Tiranë nga tërmeti është edhe "Emin Duraku" në ish- Bllok. Shkolla përbëhet nga dy godina, fillorja dhe 9-vjeçarja të cilat si pasojë e tërmetit janë shkëputur. Nga tërmeti është dëmtuar vetëm fillorja, e cila është shtuar në vitin 2006 si pasojë e rritjes së kapacitetit. Në këtë pjesë shtesë të shkollës trarët nuk ishin vendosur mbi kolonat, por në mure. Kësaj godine i është vendosur shiriti, ndërsa pjesa tjetër e 9-vjeçarjes nuk ka pësuar dëmtime dhe mësimi pritet të vijojë normalisht.<br /><br />"Shkolla Emin Duraku, ka sistem konstruktiv me mure mbajtëse, tra dhe kolonë. Shkolla ka plasaritje të thella në muret ndarëse, dëmtim i traut të katit të tretë shtesë. Plasaritje të thella të suvasë në katin e tretë shtesë, dëmtim i parapetit në të gjithë godinën, shkëputje të shtesës nga objekti ekzistues. Bordi dhe shkolla kërkojnë shkallë emergjence. Shkolla ka dëmtime në strukturë, të pezullohet aktiviteti deri kur të bëhen përforcimet e nevojshme" thuhet në procesverbalin e institutit të ndërtimit që ka siguruar Report Tv.
