Pas tri godinave në Qytetin Studenti dhe disa të tjerave tek Universiteti Bujqësor i Tiranës të cilat do të shemben, duket se të njëjtin fat do të pësojë edhe dy godina tek Konviktet e Universitetit të Mjekësisë. Nga tërmeti i 26-nëntorit, dëme të mëdha kanë pësuar dy nga tetë godina që ka konvikti. Konkretisht dëmet më të mëdha janë tek godina nr.3 dhe ajo nr.4 që ndodhen anash rrugës.

Ndërkohë të gjithë studentët që jetonin në këto godina janë zhvendosur nga aty, për në godinat e konvikteve të Universitetit të Inxhinierisë së ndërtimit. Zbrazja e godinave nga studentët, është kërkuar pasi pritet që godinave në fjalë tu bëhet një ekspertizë më e thelë edhe nga brendësia.

Ndërkohë të gjithë studentët që nuk pranojnë që të transferohen do tu kthehen mbrapsht të gjitha pagesat e bëra për të qëndruar në këto konvikte.

Universiteti i mjekësisë me anë të një urdhri nga rektorati, vijon të mos zhvillojë procesin mësimor për shkak të dëme të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Pezullimi është deri më datën 13 dhjetor ndërkohë që ende nuk dihet nëse do të shtyhet data sërish.