Është përkeqësuar situata si pasojë e zjarreve masive në Australi. Më e renduar gjendja paraqitet në Victoria dhe New South Wales, ku shtatë persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë rezultojnë të humbur. Autoritetet kanë urdhëruar evakuim masiv të banorëve, më i madhi në historinë e rajonit.<br />Kryeministri i New South Wales ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme shtatë ditore, e treta e shpallur që prej shtatorit. Videot e postuara në internet tregojnë një situatë apokaliptike, ku automjetet e zjarrfikësve kalojnë nëpër pyje të djegura, kangurë dhe kafshë të tjera që arratisen, njerëz që i drejtohen bregdetit dhe mijëra që kanë mbetur të izoluar në qytetet të shkatërruar tashmë nga zjarret.<br />Anijet e marinës dhe avionët ushtarakë janë vendosur në ndihmë të operacioneve të shpëtimit dhe për të ofruar ndihmë humanitare për të gjithë ata që kanë nevojë. <br />Këto pamje ndërkohë vijnë nga Zelanda e Re, e cila është mbuluar nga re tymi që kanë ardhur nga Australia. Qielli dhe bora në male kanë marrë ngjyrë të verdhë.<br />Që prej nisjes së zjarreve në shtator të 2019, 18 persona kanë humbur jetën dhe mbi 1.200 shtëpi janë djegur si pasojë e flakëve.