34 persona kanë humbur jetën vetëm në 11 muaj të vitit 2019, si pasojë e aksidenteve në punë. Sektorët që janë shënuar më shumë jetë të humbura janë ndërtimi dhe ndërmarrjet prodhuese siç është fasoneria.

Referuar të dhënave zyrtare të siguruara nga Report TV pranë Inspektoratit të Punës përgjatë 11-muajve vetëm në sektorin e ndërtimit si rezultat i aksidenteve kanë humbur jetën 15 persona, duke trefishuar kështu numrin e personave që kanë humbur jetën nga viti 2018, ku u konstatuan vetëm 5 raste të humbjes së jetës në punë. Në 11 muaj janë regjistruar të aksidentuar në sektorin e ndërtimit 42 punonjës.

Më pas në renditjen e aksidenteve vjen puna në miniera ku në 11 muaj kanë humbur jetën 7 persona si pasojë e aksidenteve në punë. Ndërkohë në sektorin e ndërmarrjeve prodhuese dhe fasoneri aksidentet kanë pasur pasoja fatale për 2 punonjës, ndërsa janë aksidentuar në total 35 punëmarrës.

Këto shifra tregojnë për një rritje të rasteve të aksidenteve në punë. Gjatë periudhës janar-nëntor 2019 janë kryer 176 inspektime për shkak aksidenti në punë dhe janë konfirmuar si të aksidentuar 157 punëmarrës. Në vend të parë për numrin e lartë të aksidenteve renditet Tirana me 46 punëmarrës te aksidentuar, më pas vijnë Durrësi me 20, Dibra me 18 dhe Elbasani me 16 punëmarrës.

Përveç aksidenteve rezulton se është shtuar edhe informaliteti, pasi nga inspektimet janë konstatuar gjithsej 2806 punëmarrës që janë të pasiguruar, ku minimumi i kostos së munguar në arkën e shtetit për sigurim shoqëror e shëndetësor për një muaj, për këta punëmarrës, në 20.3 milion lekë. Kjo shifër e informalitetit është katërfishuar krahasuar me vitin 2017, ku numri i personave të pasiguruar ishte 607.

Edhe ky vit ka filluar me aksidente. Rasti i fundit ishte ai i Korçës ku si pasojë e një aksidenti në punë humbi jetën Elvis Josifi, 36 vjeçar dhe u plagos shoku i tij punëtor, që u pasua me dy minatorë të plagosur në Bulqizë.