2020-ta pritet ta bëjë realitet anëtarësimin e plot-fuqishëm të Maqedonisë së Veriut në NATO. Megjithatë deri në rrumbullakimin e së njëjtës mbeten edhe dy hapa të rëndësishëm, edhe atë: ratifikimi i Protokollit për anëtarësim nga ana e Parlamentit të Spanjës dhe ratifikimi i Marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim nga Kuvendi i Shkupit. Nënshkrimi i Protokollit nga Parlamenti spanjoll duhet ta presë normalizimin e situatës politike në Madrid, respektivisht fillimin me punë të institucioneve të atjeshme shtetërore. Gjithsesi votimi i sotëm i Qeverisë së re spanjolle, ngjalli shpresat se ratifikimi i Protokollit nga Madridi mund të ndodhë para shpërbërjes së Kuvendit të Shkupit në mes të shkurtit. Mandatari socialist, Pedro Sançez pas dështimit të së shtunës, pati sukses në votimin e dytë për të formuar Qeverinë e re të koalicionit të majtë. Me mbështetjen për qeverinë e re, Sançez zhbllokoi krizën mbi 1 vjeçare që e shkaktoi pamundësia për të formuar koalicion qeverisës edhe përskaj dy raundeve zgjedhore.
