Pas kthimit nga Ukraina si drejtues i Presidencës së OSBE-së, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sot po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali, ku do të takohet me homologun Giuseppe Conte.

Dy nga çështjet kryesore që pritet që të diskutohen në takimin mes Ramës dhe Contes janë çelja e negociatave me shpresën se liderët e BE-së do të marrin një vendim në pranverë dhe pika tjetër lidhet me konferencën e donatorëve që do të mbahet në shkurt. Pikërisht për këtë cështje, kryeministri shqiptar është takuar dhe ka diskutuar edhe me ministrin e Jashtëm italian.

Kreu i qeverisë shqiptare videon e takimit e ka publikuar në faqen e tij në Facebook, ndërsa nga komunikimi me Di Maion në momentin e pritjes dhe ecjes në korridor deri kur ulen në tryezën e takimit me delegacionet përkatëse, Shqiptarja.com ka zbardhur bisedën mes tyre.

Rama dëgjohet teksa i thotë se fatura e tërmetit arrin në një miliard Euro, ndërsa Di Maio i jep besim se do të gjendet një zgjidhje në Konferencën e Donatorëve. Kjo është hera e tretë që Rama dhe Conte takohen në pak muaj. Vizita e Contes në Shqipëri në tetor u pasua nga e kryeministrit Rama në Itali, po vitin e kaluar, ndërsa sot do të kenë një tjetër takim në Romë.