TIRANË - Me vendim të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, është liruar nga qelia e burgut 313, Ergys Kolaveri, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 20 vite burgim për atentatin me snajper ndaj Gazmir Daçit në burgun e Vaqarrit, të mbetur në tentativë pasi nuk u qëllua në shenjë duke lënë të plagosur një tjetër të burgosur.<br /><br />Kolaveri ishte dënuar me 20 vite burgim, nga 30 vjet heqje lirie që kishte kërkuar prokuroria në atë kohë për atentatin e dështuar me snajper, por avokati i Kolaverit, Saimir Visha e apeloi vendimin e shkallës së parë. Në kushtet kur ka kaluar afati i paraburgimit, pasi dënimi me 20 vite nuk është i formës së prerë, gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Mustafa vendosi këtë 16 janar, të nxjerrë nga burgu Kolaverin. Masat e marra ndaj tij në seancën e sotme, janë "arrest shtëpiak" me mbikëqyrje elektronike dhe me policë 24 orë pranë shtëpisë.
