Zbardhet vendimi i arsyetuar gjyqtares që gjykatës së Krujës Enkelejda Hoxha që liroi anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Dokle nga burgu i përjetshëm në shërbim prove që shkaktoi reagim të fortë politik dhe jo vetëm. Por ku u bazua gjyqtarja? Shqiptarja.com disponon vendimin e plotë të gjyqtares për të cilën ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kërkoi pezullimin nga detyra. Në vendim theksohet se gjyqtarja është bindur duke pranuar kërkesën e avokatit të Endrit Dokles dhe raportet nga burgu se anëtari i bandës së Durrësit ka sjellje shumë të mirë, është penduar për vrasjet që ka bërë, vuan nga depresioni dhe se ka të atin sëmurë.<br /><br />"Kërkuesi ka sjellje korrekte dhe shumë të mirë. I dënuari ka shfaqur pendim të thellë për veprën penale, për të cilën është dënuar. Ai është penduar për vrasjet duke u shprehur se ato kane qenë vitet në të cilat ka gabuar më shumë në jetën e tij. Ai reflekton bretje të ndërgjegjes për të gjitha pasojat e sjella në familje dhe jashtë saj. Ai shprehet se vuajtja e dënimit për këtë vepër, i ka shërbyer më së miri për të qenë më i kujdesshëm" thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës. Por kur vjen puna e llogaritjes së viteve në qeli, heqjes së burgimit përjetë dhe dënimit me 25 vite, më pas lirimit me shërbim prove gjykata përplaset me prokurorinë.