Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka kategorizuar koronavirusin kinez në kategorinë e viruseve me rrezikshmëri të lartë globale. Në raportin e publikuar së fundi, Organizmi Shëndetësor i Kombeve të Bashkuara thuhet se përveç Kinës që është vatra e tij, koronavirusi po përhapet me ritme të shpejta në gjithë globin, teksa ende nuk është gjetur kura për parandalimin e tij.

Virusi është përhapur tashmë në 16 vende të botës, ku vendi më i fundit i përfshirë në këtë hartë është Gjermania me një rast të konfirmuar në Mynih. Pacienti ishte infektuar nga një turist nga Shangai, i cili po ashtu ka rezultuar pozitiv ndaj virusit. Në total janë 37 rastet e të prekurve nga koronavirusi jashtë Kinës, 36 prej të cilëve janë infektuar gjatë vizitave në Wuhan.

Numri i të vdekurve në Kinë ka arritur në 107 dhe 4500 ai i të prekurve. Spitali i ri i dedikuar kurimit të pacientëve të koronavirusit me 1 mijë shtretër që ishte parashikuar të ngrihej për 1 javë tashmë është gati dhe ndodhet në një qytet rreth 70 km në lindje të Wuhanit.

Kontrolle të forta po ushtrohen në aeroportet ndërkombëtare të shumë vendeve të botës që kanë linja ajrore me Kinën. Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e pezullimit të të gjithë fluturimeve me këtë vend. Shkencëtarët kinezë po punojnë me ritme të shpejta për zbulimin e kurës kundër koronavirusit që përhapet përmes kollës dhe tështimave. Ndërsa miliarderi amerikan Bill Gates ofroi 10 milionë Dollarë për kërkimet për kurën kundër këtij virusi.

Tv Klan