Operacionet e policisë për arrestimin e personave që dyshohet se urdhëruan dhe rrëmbyen Jan Prengën janë zhvendosur nga Shijaku në Shkodër. Forcat speciale RENEA kanë ushtruar kontrolle në orët e para të mëngjesit të së enjtes në disa banesa, objekte të braktisura dhe magazina, por pa mundur të arrestojnë ndonjë person.

Sipas policisë janë gjetur dhe sekuestruar prova që do të çojnë në zbardhjen e rrëmbimit të 49-vjeçarit që ndodhi mesditën e 17 Janarit në Kamëz. Ndërsa prokuroria i ka kërkuar policisë arrestimin e 10 personave, ku 5 janë vënë në pranga dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Gjithashtu Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar autoriteteve britanike të marrin në pyetje vëllain e Jan Prengës, Astrit Prenga që qëndron i ndaluar në Angli. Hetuesit kërkojnë që përmes dëshmisë së Astrit Prengës të zbulojnë se kush janë grupet kriminale që urdhëruan pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës.

Nga ana tjetër policia po kërkon për të gjetur trupin e Prengës në fshatin Pjezë që ndodhet shumë pranë resortit Golden ku u mbajt peng pas rrëmbimit. Furgoni që dyshohet se transportoi trupin e viktimës nga ambientet e resortit drejt fshatit Pjezë, ku dyshohet më pas të jetë varrosur viktima.

Të arrestuarit që do të dalin nesër përballë gjykatës kanë mohuar akuzat dhe nuk kanë bashkëpunuar me hetuesit. Sipas policisë rrëmbimi i 49-vjeçarit ka ardhur si pasojë e një përplasje që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, pas konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.

Tv Klan