Me një akt normativ, çka do të thotë se hyn në fuqi menjëherë pa qenë nevoja të miratohet në parlament, qeveria ka miratuar ndryshmet ligjore që përbëjnë Paketën AntiKÇK.

Subjekte të këtij ligji do të jenë të gjithë të dënuarit për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale, apo grupe të tjetra kriminale dhe terroriste, si dhe për trafiqe e krime të tjera të rënda.

Me këtë paketë, pasuria e tyre do të kalojë në sitën e Policisë së Shtetit, SPAK-u dhe Gjykatave të Posaçme. Pjesë e saj janë dhe të gjithë ata që janë akuzuar për këto vepra penale, por nuk janë dënuar asnjëherë për shkak se mund të kenë blerë, sipas qeverisë, lirinë e tyre tek gjykatës apo prokurorë të korruptuar.

Objekt do të jenë edhe persona të tjerë, tek të cilët kjo kategori dyshohet se ka fshehur pasuritë e paligjshme. Paketa ligjore parashikon anulimet e transaksioneve, duke u konsideruar si të pavlefshme. Për këtë arsye do të hetohen dhe bashkëshortët, fëmijët, bashkëjetuesi mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasuri me subjektet e kësaj pakete.

Siç ka bërë të ditur më parë Kryeministri, pjesë e paketës do të jenë dhe gjyqtarë e prokurorë që abuzojnë me detyrën duke e ditur se nuk do të kalojnë vetingun dhe marrin vendime të padrejta kundrejt ryshfeteve.

Paketa e prezantuar fillimisht në 25 Nëntor nga Kryeministri është konsultuar edhe me ekspertë ndërkombëtare. Ajo ka sjellë si domosdoshmëri ndryshime në Ligjin Antimafia, Ligjin e Policisë së Shtetit, Ligjin për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe Kodin Penal. Janë plot 91 vepra penale të parashikuara në këtë Kod, të cilat janë objekt hetimi nga organet e ngarkuara për zbatimin e kësaj pakete.

Tv Klan