Rreth 200 fëmijë në 24 orë paraqiten në Pediatrinë e Spitalit të Durrësit për shkak të virozave të stinës. Pediatria Xhevi Shkreli thotë se grupmosha më e prekur është 0 deri në 12 vjeç, ndërkohë mjekja këshillon prindërit që të shmangin kontaktet e fëmijëve me persona të cilat kanë kaluar një gjendje gripale.

"Në këtë periudhë kemi gjendje gripale, ku fëmijët paraqiten me simptomat karakteristike të gripit, me temperaturë të lartë deri në 41. Kjo periudhë ka qenë e ngarkuar, kishte ditë që shkonte në 200 pacientë. Nënat duhet të shmangin kontaktin e fëmijëve me fëmijë që kanë kaluar gjendje gripale ose të afërm të sëmurë", tha pediatria Xhevi Shkreli.

Ndryshimi i temperaturave përgjatë këtyre ditëve ka sjellë dhe fluksin e vizitave në pediatrinë e Durrësit, por në kushtet kur kjo godinë po rikonstruktohet, mjekja Shkreli thotë se kjo ka sjellë vështirësi për të menaxhuar fluksin e pacientëve.

"Dhe shtrime ka pasur shumë por në kushtet kur spitali po rregullohet jemi futur në vështirësi, sepse i kemi mbajtur fëmijët derisa të përmirësohen", tha mjekja

Mjekja pediatre këshillon prindërit që të monitorojnë temperaturën e fëmijëve si dhe t'iu japin sa më shumë lëngje.