Të gjitha subjektet të cilat do të përfshihen në procesin e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave i hap rrugë nisjes së punimeve për të gjithë ndërtuesit, kontraktorët dhe subjektet që furnizojnë këto firma.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se qëllimi i kësaj nisme është ulja e kostove për buxhetin e rindërtimit si për qeverinë edhe për donatorët.
Që të përjashtohesh nga ky tatim, fillimisht duhet që çdo kompani, nënkontraktor ose furnitor që ka lidhur marrëveshje me njësinë zbatuese të procesit të rindërtimit apo Këshillin e Ministrave duhet të marrë një autorizim në drejtorinë e Tatimeve. Që të shmangen abuzimet, kusht është vendosur të dërgohet edhe preventivi i punimeve dhe sasia e mallrave që nevojiten për rindërtimin.
Pas paraqitjes së dokumentacionit, drejtori i përgjithshëm i tatimeve ka afat 5 ditë për të dhënë autorizimin për subjektet përfituese.
TVSH-ja për materialet e ndërtimit, makineritë dhe shërbimet që nevojiten për ndërtuesit është 20%, në momentin që kjo taksë përjashtohet, vlera e ndërtimit të sipërfaqeve bëhet më e lirë duke stimuluar kështu ndërtimin e sa më shumë banesave.