Nuk gjejnë qetësi gjyqtarët për të vendosur lidhur me fatin e çështjes kundër Arben Grorit. Pesë muaj pas përjashtimit nga kjo çështje e Bedri Qorit, tashmë një tjetër gjyqtar nuk ka marrë përsipër të gjykojë Arben Grorin. Ardian Kalia ka vendosur të japë dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjes së papajtueshmërisë, ndërsa pritet që kërkesa e tij të miratohet nga kryetari i gjykatës.

Nëse kjo dorëheqje do të pranohet, atëherë çështja për lirimin ose jo të Arben Grorit, do ketë një gjyqtar të ri, duke filluar gjykimi nga fillimi.

Dënimi italian për Arben Grorin ishte njohur nga gjykata e Tiranës disa vite më parë, por Grori arriti rihapjen e procesit gjyqësor, duke shfrytëzuar hapësirat e Kodit të Procedurës Penale të ndryshuar në 2017 dhe një vendim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjyqtarët e Apelit Tiranë Alaudin Malaj dhe Fatmira Hajdari në vendimin e tyre të datës 20 maj 2019 kanë shfrytëzuar pikërisht nenin 450, pika d) të Kodit të Procedurës Penale dhe vendimin e Strasburgut, duke i pranuar kërkesën Arben Grorit, për rishqyrtimin e dosjes gjyqësore që bën fjalë për vrasjen e Naim Zyberit në Itali. Ky vendim i marrë nga Hajdari dhe Malaj, ka ngjallur shpresat e Grorit për lirim nga qelia, pasi prej më shumë se 18 vite ai qëndron pas hekurave të burgjeve të sigurisë së lartë.

Vendimi i Apelit Tiranë erdhi katër muaj pasi shoku i Grorit, Gert Gjinarari, në 14 shkurt 2019, është liruar me kusht nga gjykata e Korçës. Ndërkohë pas një vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë, sërish Gjinarari u shpall në kërkim.