Presidenti i vendit Ilir Meta ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi për dekretimin menjëherë të ligjit për marrjen e eurobondit. Më 1 qershor Ruçi kërkoi që ligji të miratohej pa vonesë në mënyrë që të dalim në tregjet e huaja për emetimin e eurobondit 650 milionë euro në këtë muaj.

Por presidenti Meta, shprehet se as në projektligj dhe as në relacion nuk sqarohen arsyet e kësaj emergjence për të marrë këtë borxh. Presidenti po ashtu thotë se në të dyja këto dokumente nuk janë të shpjeguara përfitimet që do të kemi nga ky përshpejtim i ligjit për të dalë në tregjet e huaja në muajin qershor dhe sipas tij nëse do të ishte domosdoshmëri qeveria duhet të kishte punuar më para.

Shqetësim tjetër që ngre Meta është edhe përjashtimi nga detyrimet tatimore i çdo transaksioni që do të bëhet për emetimin, mbajtjen, ruajtjen dhe tregtimin e eurobondeve, ku sipas tij mund të cenohen parimet kushtetuese pasi ende nuk jemi në dijeni për kushtet e negocimit të marrëveshjes. Për këto arsye Meta e quan të pajustifikuar kërkesën për dhënie pëlqimi për hyrje menjëherë në fuqi të ligjit.

Meta në arsyetimin e tij thotë se Banka e Shqipërisë duhet të vlerësoj në mënyrë të thelluar nëse vendi është gati të dalë tani në tregjet ndërkombëtare pasi nuk ka avantazhet që kishte përpara pandemisë COVID-19. Presidenti argumenton se Ministria e Financave duhet të studiojë situatën me kujdes, dhe të emetojë Eurobondin në një moment të dytë nëse kushtet aktuale të tregut nuk janë të leverdishme për shkak të situatës.

Kritika tjetër e presidentit është edhe përfshirja në këtë proces i Ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj, i cili nuk e ka këtë përgjegjësi pasi e posedon vetëm Ministria e Financave. Eurobondi i katërt prite të jetë 650 milionë euro dhe do të jetë me maturim 7 deri në 10 vite, ku 250 milionë euro do të përdorën për shlyerjen e eurobondit të vitit 2015.