TIRANE-Report Tv vijon që të ndjekë problemin e krijuar nga mbetjet urbane në lumenjtë e vendit. Sot gazetari i Report Tv Arsen Rusta ishte te ish-Fusha e Aviacionit, ku mbetjet kanë pushtuar lumin e Tiranës. Situata është dramatike, landfill i hapur në natyrë, 'bombë ekologjike', një kërcënim real për qytetarët, ndërsa institucionet ende nuk i kanë 'parë'. Inxhinieri i mjedisit, pedagogu Lulzim Bauman në një prononcim për Report Tv u shpreh se deri në derdhjen në Adriatik janë mbi 100 pika të nxehta, që kërkojnë ndërhyrje urgjente.<br /><br />"Nga Shkoza dhe Lanabregasi është katastrofa mjedisore. Janë mbetje urbane, shtëpiake, por edhe industriale. Këtu kemi mungesë koshash. Kemi pika prej 16 vitesh, si në Valias, 4 metra. Më parë ishte djegur. Ajo është skandaloze për mjedisin. Plastika do 500 vite që të riciklohet. Ky është një lum i vdekur, në këtë lloj lumi nuk jeton asnjë lloj organizimi. Niveli i metalit është shumë lart. Kadiumi që është shumë i rrezikshëm, në këtë lum është 104 herë më shumë se normat.Ky i ngordh gjallesat dhe njerëzit. Edhe baseni i Ishmit, që shkon në grykëderdhje, aty ka njerëz që gjuajnë për peshk. Mendimi im është që shteti nuk duhet ti lejojë njerëzit që gjuajnë peshk, se është i infektuar. Kadiumi është metal që vjen nga industritë e riciklimit. Kjo është bombë ekologjike. Landfilli pastrohet për dy ditë. Baseni i Ishmit do të paktën një vit" tha ai.