Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste vonoi me gati një orë nisjen e seancës plenare. Burimet bëjnë të ditur se shkak i kësaj vonesë u bë pasi grupi parlamentar i PS kishte debate për kandidaturën për kreun e KLSH, Arben Shehu.

Burime nga brenda mbledhjes bënë të ditur se deputetet Erjon Braçe, Bashkim Fino dhe Spartak Braho kanë shprehur kritika për emrin e Arben Shehut ne krye te KLSH. Ata kërkojnë llogari se pse u pranua kandidaturat e Shehut. Pro, pavarësisht kundërshtimeve nga disa deputetë socialistë mësohet se kandidatura e Shehut do të votohet në Parlament.

Dy ditë më parë Komisioni i Ekonomisë miratoi propozimin e presidentit të Republikës Ilir Meta për Arben Shehun në krye të KLSH-së. Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Milva Ekonomi u shpreh se shërbimet e Kuvendit kanë dalë në përfundimin se kandidati për KLSH i përmbush kriteret.

Vetë Shehu në fjalën e tij theksoi se "Do të zbatoj të gjitha parimet thelbësore, që duhet të respektoj ky kontroll. Që veprimtaria e kontrollit të jetë efektive duhet të ndiqen standarde evropiane. Nëse ndjekim standardet e duhura kontrolli është efektiv.

Prej disa muajsh kishte një 'luftë' të heshtur për këtë post, me propozime nga Presidenti dhe rrëzime nga socialistët.

Vitore Tusha, Bahri Shaqiri dhe Petraq Milo, ishin tre kandidatët e parë që PS-ja i rrëzoi Ilir Metës për zëvendësuesin e Bujar Leskajt në krye të KLSH-së. Por duket se propozimi i katërt ka bindur shumicën, të paktën në komisionin e Ekonomisë për të votuar Arben Shehun.