TIRANE-Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali e ftuar në një intervistë në Report Tv u shpreh se socialistët e votuan dje paktin e 5 Qershorit por me një peng. "E votuam dje me 99 vota pro, por kemi pengun e madh që depolitizimi i procesit zgjedhor u bë i pamundur nga frika e Lulzim Bashës dhe PD-së, vetë atë peng kemi, për të tjera e kemi votuar. Për të kënaqur Bashën dhe për t'i hequr frikën".

Tashmë debati është zhvendosur te ndryshimet kushtetuese për listat dhe koalicionet. Ilir Meta paralajmëroi se nuk do ta njohë kryeministrin e dalë nga zgjedhjet e 2021 nëse hapen listat. E ndërsa e cilëson Presidentin si pjesë të opozitës, ministrja socialiste thotë se mesazhi i tij sot pas takimit me ambasadorët ishte pa kuptim.

"E lexova mesazhin e presidentit dhe m'u duk pa kuptim, nuk mund të shprehet në mënyrë aq të anshme, duhet të ndajë mendjen, është presidenti i të gjithë shqiptarëve apo pjesë e opozitës, nëse është kështu të tërhiqet dhe të dalë në zgjedhje në 2021. Tryezat e presidentit duhet të jenë për të bashkuar dhe jo për të përçarë. Presidenti është bashkëshorti i një kryetareje partie që është pjesë e opozitës.

Por sistemi nuk preket, do të jetë sërish proporcional rajonal, por qytetarëve do u jepet e drejta të votojnë për deputetin që duan. Ne jemi parti që lozim në fushë të madhe, presidenti dhe opozita bëjnë taktika të vogla, që përfaqësojnë interesat e tyre të ngushta dhe të përkohshme. Basha është kundër hapjes së listave, po ashtu Kryemadhi dhe Presidenti çuditërisht. Këtë kemi ndërmend ta bëjmë realitet në Kuvendin e Shqipërisë" tha ajo.