Janë dashur 5 orë negociata dhe përpjekje nga ana e policisë me 31-vjeçarin Elton Meta, që ky i fundit të lëshonte automatikun që i kishte vënë vetës duke kërcënuar se do të vetëvritej. Në ndihmë të grupit negociator ishte bashkuar edhe motra e 31-vjecarit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në orën 23:00 në fshatin Zhupan të Fierit, ku 31-vjeçari kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së vjehrrit duke kërcënuar se do të vriste veten me një automatik. Kjo ka terrorizuar familjarët duke vënë në rrezik jetën e tyre, por që fatmirësisht janë evakuuar nga policia. Gjatë negociatave 31-vjecari ka qëlluar me armë zjarri në ajër, një veprim ky që dyshohet të jetë marrë për të kërkuar largimin e efektivëve, por që pas disa orësh më në fund është bindur të dorëzohet.

Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka nisur pas një konflikti për motive ende të pazbardhura. 31-vjeçari Meta është i martuar prej vitesh me vajzën e shtëpisë ku kërcënoi se do të vriste veten dhe janë prindër të një fëmije. Është ende e paqartë se përse 31-vjecari shkoi në shtëpinë e vjehrrit, pasi duhet theksuar se ai dhe bashkëshortja nuk banojnë aty. I riu ishte vendosur në hyrjen kryesore të oborrit të vilës 3-katëshe ku jetonte vjehrri i tij, ndërsa banesa kishte dy hyrje.

Pas dorëzimit policia sekuestroi armën e zjarrit tip automatikë dhe një gëzhojë, ndërsa i riu u shoqërua në Komisariatin e Policisë Fier për sqarimin e rrethanave dhe kryerjen e veprime të mëtejshme hetimore.

Kamera e Report Tv ka qenë mëngjesin e sotëm në vilën 3- katëshe, ku i riu 31-vjeçari Elton Meta, me një automatik në dorë kërcënoi se do të vriste veten. Banesa ishte në pronësi të vjehrrit të tij dhe në momentin e kërcënimit brenda kanë qenë të gjithë familjarët. I riu dhe bashkëshortja e tij nuk jetojnë këtu, kështu që mbetet ende e paqartë pse ai zgjodhi shtëpinë e vjehrrit për të kërcënuar se do të vriste veten me automatik.