Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë 'arrest me burg' për Arbër Kotaj, i cili vrau me thikë 34 vjeçarin Idajet Dullën, pas një konflikti të çastit.

Arbër Kotaj është akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Gjyqtari i seancës ishte Rexhep Bekteshi, ndërsa prokurori Bledar Begu. Sipas informacioneve për Report Tv, Kote është shprehur i penduar gjatë seancës gjyqësore, dhe i ka kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës. Autori Arbër Kotaj është djali i ish drejtorit të burgut në Durrës, Astrit Kotaj i cili liroi para kohe Lul Berishën.

Ndërkohë që edhe avokati ka kërkuar ndjesë publike në emër të familjarëve të autorit Arbër Kote. Sipas avokatit Aleksandër Ndreaj, ngjarja ka ndodhur nga një grindje e çastit.

"Sot është dhënë masa e sigurimit për personin nën hetim, Arbër Kotaj, u dha masa e sigurisë arrest me burg. Në radhë të parë në emër të familjarëve Arbërit, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, të të ndjerit Idajet Dulla. Ne parashtruam pretendimet tona siç ka ndodhur ngjarja, ka qenë një ngjarje momentale si rezultat i një debati të momentit, ka ndodhur edhe ngjarja e mëvonshme për të cilën ju jeni vënë në dijeni. Arbëri shprehu pendesë dhe shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës. Akuza është për vrasje dhe për mbajtjen e armëve të ftohta", deklaroi avokati.