Policia e Shtetit ka bërë një bilanc të arrestimeve në 24 orët e fundit.

Janë ushtruar dhjetëra kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje të sendeve të kundërligjshme apo përdorim të lëndëve narkotike.

Janë goditur tre raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, një në Tiranë, një në Vlorë dhe një në Korçë dhe janë vënë në pranga autorët.

Është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje në Sukth, Durrës, ku një 14-vjeçar qarkullonte me armë zjarri pistoletë me vete, janë kapur 5 persona në kërkim kombëtar dhe një në kërkim ndërkombëtar, janë goditur raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit etj.

Në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 24 persona, për vepra të ndryshme penale.

Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin, 49 persona me precedent penal të mëparshëm dhe pa dokument identifikimi me vete.

Janë arrestuar 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi, dhe 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, si dhe janë bllokuar 12 automjete që qarkullonin pa dokumentacionin përkatës.